1Dhe ja, një njeri i Perëndisë arriti nga Juda në Bethel me urdhër të Zotit, ndërsa Jeroboami qëndronte pranë altarit për të djegur temjan.2Me urdhër të Zotit klithi kundër altarit dhe tha: "Altar, altar, kështu thotë Zoti: "Ja, në shtëpinë e Davidit do të lindë një djalë, i quajtur Josia, i cili ka për të flijuar mbi ty priftërinjtë e vendeve të larta dhe do të djegë mbi ty kocka njerëzore"".3Po atë ditë dha një shenjë të mrekullueshme, duke thënë: "Kjo është shenja për të cilën foli Zoti; ja, altari do të çahet dhe hiri që është mbi të do të shpërndahet".4Kur mbreti Jeroboam dëgjoi fjalët që njeriu i Perëndisë kishte shqiptuar kundër altarit në Bethel, shtriu dorën nga altari dhe tha: "Kapeni!". Por dora që Jeroboami kishte shtrirë kundër tij u tha dhe nuk mundi më ta tërheqë.5Përveç kësaj, altari u ça dhe hiri i tij u shpërnda, sipas shenjës që njeriu i Perëndisë kishte dhënë me urdhër të Zotit.6Atëherë mbreti iu drejtua njeriut të Zotit dhe i tha: Oh, lutju shumë Zotit, Perëndisë tënd, dhe lutu për mua, derisa të më ripërtërihet dora". Njeriu i Perëndisë iu lut shumë Zotit dhe mbretit iu ripërtëri dora, ashtu siç ishte më parë.7Atëherë mbreti i tha njeriut të Perëndisë: "Eja në shtëpi bashkë me mua që ta marrësh veten; do të të bëj edhe një dhuratë".8Por njeriu i Perëndisë iu përgjigj mbretit: "Edhe sikur të më jepje gjysmën e shtëpisë sate, unë nuk do të vija me ty dhe as do të haja bukë e as do të pija ujë në këtë vend,9sepse kështu më ka urdhëruar Zoti: "Ti nuk do të hash bukë as do të pish ujë dhe nuk do të kthehesh nga rruga që ke përshkuar kur shkove".10Kështu ai shkoi nëpër një rrugë tjetër dhe nuk u kthye nëpër rrugën që kishte përshkuar kur vajti në Bethel.11Në Bethel banonte një profet plak; bijtë e tij shkuan e treguan tërë atë që njeriu i Perëndisë kishte bërë atë ditë në Bethel dhe i treguan atit të tyre fjalët që ai i kishte thënë mbretit.12I ati i pyeti ata: "Nëpër çfarë rruge iku?". Ç'është e vërteta, bijtë e tij e kishin parë nëpër çfarë rruge kishte shkuar njeriu i Perëndisë i ardhur nga Juda.13Atëherë ai u tha bijve të tij: "Më shaloni gomarin". I shaluan gomarin dhe ai hipi mbi të;14e ndoqi njeriun e Perëndisë dhe e gjeti ulur nën një lis dhe i tha: "A je ti njeriu i Perëndisë që ka ardhur nga Juda?". Ai iu përgjigj: "Jam unë".15Atëherë profeti plak i tha: "Eja në shtëpinë time për të ngrënë diçka".16Por ai u përgjigj: "Nuk mund të kthehem prapa as të vij me ty, nuk mund të ha bukë dhe të pi ujë me ty në këtë vend,17sepse Zoti më ka thënë: "Ti atje nuk do të hash bukë as do të pish ujë, dhe nuk do të kthehesh nëpër rrugën e përshkuar kur shkove".18Tjetri i tha: "Edhe unë jam profet si ti; dhe një engjëll më ka folur nga ana e Zotit, duke thënë: "Merre me vete në shtëpinë tënde që të hajë bukë dhe të pijë ujë"". Por ai gënjente.19Kështu njeriu i Perëndisë u kthye prapa bashkë me të dhe hëngri bukë në shtëpinë e atij dhe piu ujë.20Ndërsa ishin ulur në tryezë, fjala e Zotit iu drejtua profetit që e kishte kthyer prapa;21dhe ai i thirri njeriut të Perëndisë të ardhur nga Juda, duke thënë: "Kështu flet Zoti: "Me qenë se nuk iu binde urdhrit të Zotit dhe nuk respektove porosinë e Zotit, Perëndisë tënd, që të kishte dhënë,22por u ktheve prapa dhe hëngre bukë e pive ujë në vendin që Zoti të pati thënë: "Mos ha bukë e mos pi ujë", kufoma jote nuk ka për të hyrë në varret e prindërve të tu".23Kur mbaroi së ngrëni dhe së piri, profeti që e kishte kthyer prapa i shaloi gomarin.24Kështu ai u nis, por një luan i doli rrugës dhe e vrau. Kufoma e tij u hodh në mes të rrugës, ndërsa gomari i qëndronte afër dhe vetë luani mbeti pranë kufomës.25Disa njerëz kaluan andej dhe panë kufomën të hedhur në rrugë dhe luanin që rrinte afër kufomës; ata shkuan dhe e treguan këtë gjë në qytetin ku banonte profeti plak.26Sa e dëgjoi profeti që e kishte kthyer prapa, ai tha: "Është njeriu i Perëndisë, që nuk iu bind urdhrit të Zotit; për këtë arsye Zoti e ka lënë në kthetrat e një luani, që e ka shqyer dhe vrarë, sipas fjalës që kishte thënë Zoti".27Pastaj iu drejtua bijve të tij dhe u tha: "Më shaloni gomarin". Ata ia shaluan.28Kështu ai u nis dhe e gjeti kufomën të hedhur në mes të rrugës, ndërsa gomari dhe luani rrinin afër kufomës; luani nuk e kishte ngrënë kufomën as kishte shqyer gomarin.29Profeti mori kufomën e njeriut të Perëndisë, e ngarkoi mbi gomarin dhe u kthye; kështu profeti plak u kthye në qytet për ta vajtuar dhe për ta varrosur.30E vendosi kufomën në varrin e tij; dhe filluan ta qajnë, duke thënë: "Oh, vëllai im!".31Mbas varrimit, profeti plak u tha bijve të tij: "Kur të vdes unë, më varrosni në varrin e njeriut të Perëndisë; m'i vini kockat pranë kockave të tij.32Sepse me siguri do të vërtetohet fjala e thënë prej tij me urdhër të Zotit kundër altarit të Bethelit dhe kundër tërë shenjtërorëve të vendeve të larta në qytetet e Samarisë".33Mbas kësaj ngjarjeje, Jeroboami nuk u tërhoq nga rruga e tij e keqe, por bëri priftërinj të tjerë për vendet e larta, duke i marrë nga çdo shtresë personash; kushdo që e dëshironte, shenjtërohej prej tij dhe bëhej prift i vendeve të larta.34Ky qe mëkati i shtëpisë së Jeroboamit, që shkaktoi shkatërrimin e saj dhe shfarosjen e saj nga faqja e dheut.