1Më në fund, o vëllezër, lutuni për ne, që fjala e Zotit të përhapet me të shpejtë dhe të lëvdohet, porsi ndër ju,2dhe derisa të shpëtojmë nga njerëzit e çoroditur dhe të këqij, sepse jo të gjithë kanë besim.3Por Zoti është besnik, dhe ai do t’ju forcojë dhe do t’ju ruajë nga i ligu.4Dhe ne kemi besim për ju te Zoti, se gjërat që ju porositëm po i bëni dhe do t’i bëni.5Edhe Zoti i drejtoftë zemrat tuaja te dashuria e Perëndisë dhe te qëndrueshmëria e Krishtit.6Dhe ju porositim, o vëllezër, në emër të Zotit tonë Jezu Krisht, që të largoheni nga çdo vëlla që ecën i çrregullt dhe jo sipas porosisë që keni marrë prej nesh.7Sepse ju e dini vetë se si duhet të na shëmbëlleni, sepse ne nuk u sollëm në mënyrë të çrregullt midis jush,8dhe nuk kemi ngrënë falas bukën e ndonjërit, por punuam me lodhje e mundim natë e ditë, që të mos i bëheshim barrë asnjërit prej jush.9Jo se ne nuk e kemi këtë të drejtë, po për t'ju dhënë ne vetë një shembull që ju të na imitonit.10Në fakt, edhe kur ishim në mes tuaj, ju porosisnim këtë: se po qe se ndonjë nuk do të punojë, as të mos hajë.11Në fakt dëgjojmë se disa prej jush që ecin në mënyrë të çrregullt, nuk bëjnë asgjë dhe merren me gjëra të kota.12Këta i porosisim dhe i bëjmë thirrje në Zotin tonë Jezu Krisht, që të hanë bukën e tyre duke punuar shtruar.13Dhe sa për ju, o vëllezër, mos u lodhni së bëri të mirën.14Dhe në qoftë se dikush nuk i bindet fjalës sonë në këtë letër, shënojeni atë dhe mos u shoqëroni me të, që ai të turpërohet.15Por mos e mbani atë si një armik, po këshillojeni si vëlla.16Dhe vetë Zoti i paqes ju dhëntë vazhdimisht paqe në çdo mënyrë. Zoti qoftë me ju të gjithë.17Të falat me shëndet janë nga dora ime, nga mua, Pali; dhe kjo është një shenjë në çdo letër prej meje; unë shkruaj kështu.18Hiri i Zotit tonë Jezu Krisht qoftë me ju të gjithë. Amen.