1Atëherë Jobi hapi gojën dhe mallkoi ditën e lindjes së tij.2Kështu Jobi mori fjalën dhe tha:3"Humbtë dita në të cilën linda dhe nata që tha: "U ngjiz një mashkull!".4Ajo ditë u bëftë terr, mos u kujdesoftë për të Perëndia nga lart, dhe mos shkëlqeftë mbi të drita!5E marrshin përsëri terri dhe hija e vdekjes, qëndroftë mbi të një re, furtuna e ditës e tmerroftë!6Atë natë e marrtë terri, mos hyftë në ditët e vitit, mos hyftë në llogaritjen e muajve!7Po, ajo natë qoftë natë shterpë, mos depërtoftë në të asnjë britmë gëzimi.8E mallkofshin ata që mallkojnë ditën, ata që janë gati të zgjojnë Leviathanin.9U errësofshin yjet e muzgut të tij, le të presë dritën; por mos e pastë fare dhe mos paftë ditën që agon,10sepse nuk e mbylli portën e barkut të nënës sime dhe nuk ua fshehu dhembjen syve të mi.11Pse nuk vdiqa në barkun e nënës sime? Pse nuk vdiqa sapo dola nga barku i saj?12Pse vallë më kanë pritur gjunjët, dhe gjinjtë për të pirë?13Po, tani do të dergjesha i qetë, do të flija dhe do të pushoja,14bashkë me mbretërit dhe me këshilltarët e dheut, që kanë ndërtuar për vete rrënoja të shkretuara,15ose bashkë me princat që kishin ar ose që mbushën me argjend pallatet e tyre.16Ose pse nuk qeshë si një dështim i fshehur, si fëmijët që nuk e kanë parë kurrë dritën?17Atje poshtë të këqijtë nuk brengosen më, atje poshtë çlodhen të lodhurit.18Atje poshtë të burgosurit janë të qetë bashkë, dhe nuk e dëgjojnë më zërin e xhelatit.19Atje poshtë ka të vegjël dhe të mëdhenj, dhe skllavi është i lirë nga pronari i tij.20Pse t'i japësh dritë fatkeqit dhe jetën atij që ka shpirtin në hidhërim,21të cilët presin vdekjen që nuk vjen, dhe e kërkojnë më tepër se thesaret e fshehura;22gëzohen shumë dhe ngazëllojnë kur gjejnë varrin?23Pse të lindë një njeri rruga e të cilit është fshehur, dhe që Perëndia e ka rrethuar nga çdo anë?24Në vend që të ushqehem, unë psherëtij, dhe rënkimet e mia burojnë si uji.25Sepse ajo që më tremb më shumë më bie mbi krye, dhe ajo që më tmerron më ndodh.26Nuk kam qetësi, nuk kam prehje, por më pushton shqetësimi".